Gjermani, dy vëllezërit kosovar godasin me thikë babain e tyre

14.03.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Zorneding në Bavari, ku dy vëllezër të rinj, Ilirjan A. (17) dhe Isak A. (18), kanë goditur me thikë babanë e tyre (41) pas një sherri të dhunshëm.

Incidenti ka ndodhur në fund të shkurtit, rreth orës 22:00, në stacionin e trenit Zorneding, pas një konfrontimi në linjën S-Bahn 6.

Sipas dëshmitarëve, sherri mes babait dhe djemve të tij filloi në tren, ku adoleshentët e ofenduan dhe e shanin atë. Pas zbritjes në stacionin e trenit, dhuna u përshkallëzua. Vëllezërit tentuan ta shtynin babanë e tyre poshtë shkallëve dhe më pas e sulmuan me grushte. Sipas informacioneve të BILD, ata nxorrën thikat dhe e goditën babanë e tyre në shpatull dhe gjoks, duke i shkaktuar lëndime të rënda, por jo të rrezikshme për jetën.

Babai u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa vëllezërit u larguan nga vendi i ngjarjes. Policia nisi një operacion kërkimi, por fillimisht nuk arriti t’i arrestojë ata. Vetëm një ditë më vonë, një task forcë speciale (SEK) arriti të arrestojë Isak A. në banesën e të dashurës së tij në qytetin fqinj Kirchseeon. Menjëherë pas tij, Ilirjan A. u arrestua në Zorneding.

Motivi i sulmit të dhunshëm mbetet ende i paqartë. Sipas informacioneve të BILD, vëllezërit nuk kanë dhënë asnjë koment para hetuesve. Megjithatë, dyshohet se motivi mund të jetë një mosmarrëveshje e kahershme mes familjes me rrënjë kosovaro-shqiptare. Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.