Gjykata pranon prova të reja për strukturën e UÇK-së në tri zona operative

10.03.2025

Paneli i gjykatësve në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka pranuar një sërë provash të reja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të cilat lidhen me strukturën dhe organizimin e UÇK-së në tri zona operative: Drenicë, Shalë, Llap dhe Karadak.

Këto prova, të publikuara në një version të redaktuar, përfshijnë dokumente të ndryshme që synojnë të dëshmojnë ekzistencën e një ushtrie të rregullt me zinxhir komandues.

Zona Operative e Drenicës:

Provat e pranuara për Zonën e Drenicës përfshijnë dokumente për njësi të veçanta, brigada dhe vendime të dala nga kjo zonë. Në mesin e tyre, gjenden edhe dokumente për Njësinë e Grave në kuadër të UÇK-së në Drenicë. Këto prova, sipas panelit, janë të rëndësishme për të dëshmuar strukturën dhe nivelin e organizimit të UÇK-së, sistemin e regjistrimit të anëtarëve, trajnimin e tyre, furnizimet logjistike, komandën dhe kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe rolet e autoritetet e figurave të tilla si Jahir Demaku, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku.

Zona Operative e Shalës:

Për Zonën e Shalës, provat e pranuara përfshijnë dokumente që listojnë ushtarët, planet e trajnimit, kërkesa për pjesëmarrje në trajnimin e njësisë speciale, rregulloret e shërbimit të UÇK-së, leje për lëshimin e benzinës dhe naftës, lista të rojeve dhe orare të oficerëve të detyrës, urdhra të UÇK-së për çështje ushtarake dhe civile, si dhe një dokument me listën e personave që do të udhëtonin në Gllogjan për të marrë armë. ZPS synon që përmes këtyre provave të vërtetojë strukturën komanduese, përgjegjësinë penale për krime, si dhe shënjestrimin, arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e personave të dyshimtë dhe kundërshtarëve.

Zona Operative e Karadakut:

Nga Zona Operative e Karadakut, paneli ka pranuar një raport nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, formularë për lëshimin e armëve dhe një raport që tregon ngjarjet e ndodhura atje. ZPS pretendon se këto prova dëshmojnë se çështjet organizative, logjistike dhe të tjera në Karadak i janë adresuar Shtabit të Përgjithshëm dhe Qeverisë së Përkohshme, bashkëpunimin me Zonën kufitare të Llapit, ekzistencën e policisë ushtarake dhe themelimin e brigadës, urdhrat e lëshuara nga Komandanti i Zonës, si dhe kontrollin e strukturave komunale nga kjo zonë. Gjithashtu, pretendohet se Zona e Karadakut mbante lista, orare, materiale stërvitore, bileta ushqimi, dokumente të policisë ushtarake dhe të dhëna për persona që nuk konsideroheshin besnikë ndaj UÇK-së.

Zona Operative e Llapit:

Për Zonën e Llapit, provat e pranuara përfshijnë dokumente që dëshmojnë një vizitë të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në këtë zonë në gusht 1998, ku ata dhanë emërime formale me shkrim për anëtarët e Komandës së Llapit. ZPS pretendon se Komanda e Llapit mbante takime, ishte përgjegjëse për të gjitha njësitë e UÇK-së në Llap, ishte në kontakt me komandantët e zonave të tjera dhe me Shtabin e Përgjithshëm, duke bërë raporte dhe duke marrë urdhra, udhëzime dhe rregullore.