Dhomat e Specializuara hedhin poshtë kërkesën e Bahtijarit, refuzojnë apelin e Veselit

07.03.2025

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, ka njoftuar për zhvillimet e fundit në proceset gjyqësore.

Në konferencën javore për media, Griep bëri të ditur se më 28 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, shqyrtoi kërkesën e Ismet Bahtijarit për sqarim, i cili pretendonte se nuk ishte informuar në kohë për uljen e dënimit të tij.

“Kryetarja Trendafilova konkludoi se Bahtijari kishte marrë të gjitha informacionet e nevojshme, duke përfshirë kopje të kushteve të vendimit në gjuhën shqipe. Kërkesa e tij u hodh poshtë dhe mbrojtëses së tij iu urdhërua që të dorëzonte versionin e redaktuar të kërkesës deri më 6 mars 2025,” tha Griep.

Në lidhje me çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, zëdhënësja njoftoi se më 3 mars, trupi gjykues refuzoi kërkesën e Mbrojtjes së Kadri Veselit për apelimin e një vendimi që nuk pranoi një dokument si provë.