Rikthehen kontrollet në kufirin Kosovë-Shqipëri, pezullohet marrëveshja e lëvizjes së lirë
Nga data 1 mars, marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës ka pushuar së funksionuari për një periudhë dymujore.
Gjatë kësaj periudhe, pikat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës do të kryejnë përpunimin e të dhënave të drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar.
Ky vendim vjen si masë për të shmangur radhët dhe pritjet e gjata, veçanërisht në kushtet e fluksit të lartë të lëvizjes së mjeteve dhe udhëtarëve, që pritet të rritet me përmirësimin e kushteve të motit.
Reagimet e udhëtarëve
Edhe pse drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët shprehen për dëshirën e tyre për lëvizje të lirë gjatë gjithë vitit, ata vlerësojnë se pritjet në kufi kanë qenë të shkurtra dhe kontrollet normale.
Lehtësime gjatë fundjavave dhe festave
Gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, lëvizja do të jetë pa kontrolle për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar më tej fluksin e udhëtarëve.