Vizita e parë e Mark Rutte në Kosovë si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s

04.03.2025

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars, duke shënuar vizitën e tij të parë në vend që nga marrja e këtij posti. Lajmi është konfirmuar nga burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë.

Vizita e Rutte vjen në një kohë të rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në stabilitetin e Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë. Një ditë para vizitës në Kosovë, Rutte do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të NATO-s në të gjithë rajonin.

Gjatë vizitës në Kosovë, Rutte do të shoqërohet nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, të cilët janë pjesë e Këshillit të Atlantikut të Veriut. Delegacioni i NATO-s do të vizitojë gjithashtu misionin e KFOR-it, i cili udhëhiqet nga NATO dhe aktualisht përbëhet nga rreth 4700 ushtarë, me kontingjentin më të madh nga Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vizita e Rutte vjen pas paralajmërimeve të tij të mëparshme se do të vizitonte Kosovën gjatë muajit mars, si dhe pas një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë një debati në Bratisllavë të Sllovakisë, Rutte theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe siguroi se nuk ka arsye për të besuar në ndryshime dramatike në angazhimin e SHBA-së në NATO.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale,” tha Rutte, duke shtuar se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë dhe Serbi është në interes të të gjithëve.

Vizita e Rutte në Kosovë vjen gjithashtu pas zgjedhjeve të fundit në vend, ku ai bëri thirrje për vazhdimin e procesit demokratik dhe formimin e koalicioneve.