Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarës për spiunazh, J.Gj.
Foto: Ilustrim
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se masa është vendosur nga gjykatësi i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Ndryshe, Prokuroria Speciale njoftoi se e dyshuara u arrestua në rajonin e Mitrovicës pas një hetimi disamujor, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
“E njëjta, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar për 48 orë dhe për momentin nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale. Ndërkohë, prokurori i shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.
J.Gj. dyshohet për veprën penale “Spiunazhi”, e paraparë në nenin 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.