Refuzohet edhe kërkesa e dytë e Thaçit për vizitë humanitare në Kosovë

28.02.2025

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i është refuzuar edhe kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, e cila ka theksuar se vendimi është marrë pasi babai i Thaçit është liruar nga spitali dhe nuk ka ndonjë rrezik për jetën.

“Z. Thaçi më 14 shkurt 2025 ka paraqitur kërkesë për lirim të përkohshëm për arsye humanitare. Duke balancuar të gjithë faktorët relevantë, duke përfshirë fazën e procedurës, akuzat me të cilat përballet z. Thaçi si dhe faktin se babai i z. Thaçi është liruar nga spitali dhe nuk ka asgjë që tregon se gjendja e tij shëndetësore është, në këtë moment, një krizë akute ose rrezik për jetën, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se, në rrethanat aktuale, z. Thaçi nuk ka treguar arsye për lirimin e tij të përkohshëm”, ka deklaruar Griep.

Kjo është hera e dytë që Thaçit i refuzohet kërkesa për vizitë humanitare. Ai kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë, në mënyrë që të mund të vizitonte babain e tij.