Gjermani, Berat Nimani mohon përfshirjen në sulm, avokati i tij thotë se do të dorëzohet në polici

27.02.2025

Pas incidentit të së mërkurës pranë gjykatës së Bielefeldit, ku katër persona mbetën të plagosur, vëllai i boksierit të vrarë, Besar Nimani, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Në një deklaratë për gazetën gjermane “Bild”, ai ka theksuar se familja e tij ka jetuar në ankth të vazhdueshëm që nga marsi i vitit të kaluar, kur Besar Nimani u ekzekutua me 16 plumba.

“Një nga personat e përfshirë në vrasjen e vëllait tim është ende i lirë. Ne jetojmë me frikë që nga ajo ditë,” është shprehur ai, duke theksuar traumën e vazhdueshme që po përjeton familja.

Avokati i Nimanit, Peter Wuller, ka konfirmuar se klienti i tij e mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje dhe planifikon të dorëzohet së shpejti në polici. “Kam komunikuar me z. Nimani menjëherë pas incidentit. Ai më ka kërkuar ta përfaqësoj dhe këmbëngul se është i pafajshëm. Sapo të sqarohen rrethanat dhe të kemi një tablo të qartë të ngjarjes, ai do të dorëzohet në polici,” ka deklaruar Wuller për “Bild”.

Avokati ka shtuar se ka pasur disa kontakte me Nimanin menjëherë pas aktit dhe se klienti i tij do të dorëzohet në polici në ditët në vijim. Ky premtim për dorëzim vjen në një kohë kur autoritetet gjermane po hetojnë ngjarjen e rëndë pranë gjykatës së Bielefeldit, ndërsa familja Nimani vazhdon të përballet me pasojat e vrasjes së Besar Nimanit.