KQZ sqaron vonesën e rezultateve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përsëritur shpjegimin se përse rezultatet preliminare nuk janë shfaqur nga 100% e vendvotimeve.
Foto: Ilustrim
Sipas një njoftimi të lëshuar nga KQZ, deri më tani janë përditësuar të dhënat për 99.72% të vendvotimeve, që i bie 2,526 nga gjithsej 2,533 vendvotime.
“Në platformën elektronike të rezultateve preliminare janë përditësuar të dhënat për 99.72% apo 2,526 vendvotime nga 2,533 vendvotime. Pra, kanë mbetur pa u procesuar vetëm të dhënat nga 7 vendvotime. Kjo gjë do të bëhet pasi të hapen për numërim kutitë e votimit në të cilat ndodhen formularët e rezultateve të subjekteve politike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ ka theksuar se angazhimi i tyre aktual është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Megjithatë, ata kanë siguruar se të dhënat nga rezultatet preliminare për subjektet politike nga të gjitha vendvotimet do të përditësohen gjithashtu.
