Kandidati kapet duke përdorur pajisje elektronike në testin e patentës, personi tjetër ndalohet për korrupsion
Një kandidat për patentë shofer është kapur duke përdorur pajisje elektronike të ndaluara gjatë testit me shkrim, ndërsa një person tjetër është ndaluar nën dyshimet për korrupsion, njoftoi Policia e Kosovës.
Rasti i parë ka ndodhur më 27 gusht 2024 në Qendrën e Patentë Shoferëve në Gjilan. Gjatë kontrollit, kandidati me inicialet M.K. u kap me një mini mikrofon, pajisje për internet dhe një mini kamerë të fshehura në trup. Pajisjet u sekuestruan si prova materiale, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacion policor.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar një person të dyshuar dhe ka kontrolluar banesën e tij, por ai nuk është gjetur aty. I dyshuari është ftuar për intervistë dhe më 10 shkurt 2025 është paraqitur vullnetarisht në polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij. Ndaj tij është ngritur dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” dhe pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është lëshuar aktvendimi për ndalimin e tij për 48 orë.
Rasti i dytë ka të bëjë me një person që dyshohet se ka pranuar 600 euro për të ndihmuar një kandidat të kalojë testin e patentës. Policia ka ndërmarrë veprime hetimore dhe personi në fjalë është ndaluar. Detaje të tjera rreth këtij rasti nuk janë bërë të ditura për shkak të hetimeve në vazhdim.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta kundër çdo përpjekjeje për manipulim të testeve të patentë shoferëve dhe formave të tjera të mashtrimit.