Drejtori i Policisë së Kosovës merr pjesë në ceremoninë e 17-vjetorit të Pavarësisë në New York
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të organizuar në New York.
Me ftesë zyrtare të Senatores Jessica Scarcella-Spanton dhe anëtarit të Asamblesë Charles D. Fall, Kolonel Hoxha ka qëndruar zyrtarisht në New York, duke marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Gjatë ceremonisë, Drejtori Hoxha theksoi se Policia e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga themelimi i saj. Ai gjithashtu shtoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shërbimit ndaj qytetarëve pa dallim.
“Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, ka qenë jetik në ndërtimin e një force profesionale që gëzon besimin e qytetarëve dhe kontribuon për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare,” tha Hoxha.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se Kolonel Hoxha gjatë qëndrimit në New York ka marrë pjesë edhe në një seancë të senatit të shtetit të New York-ut dhe është takuar me përfaqësues të komunitetit kosovaro-amerikan. Ai shprehu një falënderim të veçantë për rolin e tyre në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.