Podujeva ngrihet në mbështetje të Kurtit: 500 mijë zemra bashkë më 9 shkurt!

04.02.2025

Një pranverë e parakohshme ka pushtuar Podujevën, ku qytetarët janë mbledhur sot në një tubim madhështor për të shprehur mbështetjen e tyre të palëkundur për qeverinë e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje!

Entuziazmi dhe vendosmëria ishin të prekshme në çdo cep të tubimit, ku qytetarët e Podujevës konfirmuan punën e shkëlqyer të qeverisë Kurti gjatë mandatit të kaluar. Ata gjithashtu shprehën bindjen e tyre se me 9 shkurt, 500 mijë zemra do të bashkohen për t’i dhënë kryeministrit Kurti dhe qeverisë më të suksesshme të pasluftës, mandatin e ardhshëm.

Kryeministri Kurti, i mirëpritur me brohoritje të zjarrta, iu drejtua qytetarëve të Podujevës me një fjalim të fuqishëm. Ai theksoi se kësaj radhe do të thyhet rekordi i votimit të Lëvizjes Vetëvendosje! me 9 shkurt, duke theksuar se katër ditët e mbetura janë vendimtare për më shumë se vetëm katër vitet e ardhshme. Sipas tij, me 9 shkurt vendoset gjykimi popullor për rrugën e drejtë, të mirë e të mbarë që është ndjekur deri tani dhe po ashtu jepet leja demokratike për katër vitet e ardhshme për edhe më shumë punë të mira e të mbara për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti, duke rikujtuar punët e mira në ekonomi, siguri, drejtësi dhe progresin socio-ekonomik, u fokusua në zotimet e mandatit të ardhshëm. Ai premtoi rritje të buxhetit për polici, dyfishim të numrit të ushtarëve, trefishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, katërfishim të numrit të trajnimeve të ushtarakëve jashtë vendit dhe qindfishim të buxhetit për armatim e municion. Ai gjithashtu njoftoi se do të ndërtohen 5 diga akumuluese të ujit, përfundimi i rrugës Prishtinë – Podujevë dhe rrugëve të tjera të rëndësishme, si dhe investime të mëdha në mbështetje të fëmijëve, nënave, grave, pleqve, pensionistëve dhe invalidëve të UÇK-së.

Kurti gjithashtu njoftoi për krijimin e një prokurorie të re speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, programin “superpuna për gratë”, programin “gjenerata për gjeneratë”, programin “mobiliteti për studentët” dhe projektin për transportin publik “Anembanë”. Ai gjithashtu premtoi mbështetje të madhe për prodhimtarinë, bujqësinë dhe rritje të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti prezantoi kandidatët e Podujevës dhe u bëri thirrje qytetarëve që në ditët e mbetura të angazhohen maksimalisht për të bindur sa më shumë qytetarë që me 9 shkurt të dalin në zgjedhje, të votojnë Lëvizjen Vetëvendosje! dhe të bëhen bashkë 500 mijë zemra për të festuar fitoren më të madhe parlamentare ndonjëherë në Republikën e Kosovës.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/pfbid0UmvEzhmkSU7FFsEWQkUicdbTfgKebApQJ5m6pPxeAwC59DYoZHe18Q973DSYtGZHl