Tragjedi në Jabllanicë të Gjakovës: Shembet një objekt i pabanuar, vdesin tre të mitur
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një objekt i pabanuar është shembur, duke zënë tre të mitur. Si pasojë e shembjes, tre fëmijë kanë humbur jetën.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj. Sipas tij, rreth orës 22:50, policia është njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë e nevojshme policore, ekipet e emergjencës, ambulanca dhe zjarrfikësit. Fatkeqësisht, personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave në vendngjarje.
Prokurori i shtetit është njoftuar dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me të, për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Sipas majorit Milazim Lumi, i cili ka folur për RTKlive, në momentin tragjik, në vendngjarje janë gjetur tre të mitur, njëri 14 vjeç dhe dy të tjerë 15 vjeç. Ai ka shtuar se objekti që është shembur është një ndërtesë e vjetër, e mbetur pas Luftës.
Viktimat e kësaj tragjedie janë banorë të fshatit Jabllanicë. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur thellësisht komunitetin e këtij fshati dhe mbarë opinionin publik.