Kosova gati për sfidën ndaj Francës në futsall

31.01.2025

Kombëtarja e Kosovës në futsall do të ketë një sfidë të vështirë sonte, kur të përballet me Francën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ndeshja, e cila fillon në orën 20:00, është pjesë e “Main Round” për kualifikimet e Kampionatin Evropian 2026, në kuadër të Grupit 10.

Dardanët kanë zhvilluar stërvitjen e fundit mbrëmë dhe atmosfera në ekip është shumë e mirë. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje të rëndësishme.

Përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani, beson fuqishëm në lojtarët e tij dhe pret një rezultat pozitiv, pavarësisht se Franca konsiderohet favorite, pasi zuri vendin e katërt në Botërorin e fundit.

Kapiteni Ramadan Alaj gjithashtu është optimist dhe shpreson në mbështetjen e tifozëve, të cilët ai i sheh si një faktor të rëndësishëm për kombëtaren.

Fitorja e thellë ndaj Bullgarisë në ndeshjen e fundit ka rritur edhe më shumë motivimin e ekipit për sfidën ndaj Francës.

Pas kësaj ndeshjeje, Kosova do të luajë ndeshjen kthyese ndaj Francës më 4 shkurt në Poitiers. Ndeshjet e tjera të grupit do të zhvillohen në muajin prill.

Deri tani, Kosova ka një fitore (ndaj Bullgarisë) dhe një humbje (kundër Gjeorgjisë) në dy ndeshjet e para të kualifikimeve.