Kolgeci në Tërrnje dhe Leshan premton park telnologjik dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në IT

19.01.2025

Selman Kolgeci, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zhvilluar takime me banorët e Tërrnjes dhe Leshanit, duke u fokusuar në nevojat e rinisë dhe të ardhmen e tyre në Kosovë.

Ndërsa kolegët e tij kanë theksuar rëndësinë e sektorëve tradicionalë si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, Kolgeci ka zgjedhur një qasje më inovative, duke vendosur në qendër të fjalimit të tij rininë dhe sfidat me të cilat ajo përballet.

“Për fat të keq, shumë nga djemtë dhe vajzat tona po e shohin emigrimin si një alternativë të vetme për të ardhmen. Unë besoj se si parti, kemi detyrimin të ofrojmë një alternativë më të mirë, të krijojmë një Kosovë ku të rinjtë të kenë mundësi të punojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë një të ardhme për veten dhe familjet e tyre”, ka deklaruar Kolgeci.

Në takime, Kolgeci ka prezantuar planprogramin e LDK-së, duke theksuar veçanërisht iniciativën për trajnimin e 40 mijë të rinjëve në fushën e Teknologjisë së Informacionit (IT). “Kjo iniciativë do të ndihmojë në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve të IT-së, që do të jenë konkurrues në tregun global”, ka shtuar ai.

Një tjetër temë e diskutimeve ka qenë zhvillimi i parkut teknologjik, një projekt që sipas Kolgecit do të hapë dyer të reja për të rinjtë në drejtim të punësimit dhe avancimit profesional.

“Duke investuar në të rinjtë, ne investojmë në të ardhmen e vendit tonë. LDK-ja është e përkushtuar të krijojë një Kosovë ku të rinjtë të kenë një të ardhme të sigurt dhe perspektivë”, ka përfunduar Kolgeci.