Përforcohet profesionalizmi: Riakreditohen shtatë laboratorë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

31.12.2024

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morën pjesë dje në ceremoninë e ri-akreditimit të gjashtë laboratorëve dhe akreditimin e parë të laboratorit për ekzaminimin e kompjuterëve në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF).

Në këtë ngjarje, Zëvendës Kryeshefi i AKF-së, Ilir Kukaj, pranoi certifikatat për shtatë laboratorët nga Irfan Lipovica, Drejtor i Agjencisë për Akreditim pranë MINT. Ky moment shënon një hap të rëndësishëm për AKF-në, e cila tashmë është pozicionuar si institucioni më i avancuar në rajon për nga numri i metodave të akredituara shkencore, me gjithsej 47 metoda pune.

Falë punës së palodhshme dhe profesionalizmit të stafit të saj, AKF ka arritur të konsolidohet si një nga institucionet kryesore forenzike në rajon. Përveç rritjes së numrit të metodave të akredituara, Agjencia ka shënuar një rritje të ndjeshme të kapaciteteve të saj, duke përfunduar gjatë vitit 2024 plot 5,318 ekspertiza forenzike me mbi 143,067 dëshmi dhe prova materiale të shqyrtuara.

Ministrat Sveçla dhe Hajdari, gjatë vizitës në laboratorët e AKF-së, patën rastin të takojnë zyrtarët e këtij institucioni, duke i falënderuar për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm dhe duke u uruar suksese edhe më të mëdha në vitin 2025.

Ky zhvillim është një dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për avancimin e drejtësisë dhe sigurisë përmes përdorimit të metodave bashkëkohore shkencore. Me rritjen e kapaciteteve dhe standardeve të saj, Agjencia e Kosovës për Forenzikë po luan një rol kyç në sigurimin e një drejtësie të besueshme dhe transparente.

Institucioni synon të vazhdojë këtë rrugë të suksesit, duke u bërë shembull për të gjitha vendet e rajonit në fushën e ekspertizës forenzike.