Dita e Veteranëve të UÇK-së, Osmani: Kujtesë dhe Lavdi për heroizmin e pashuar
Sot, më 30 dhjetor, shënohet Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë ditë të veçantë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë një mesazh përplot nderim dhe krenari për të gjithë ata që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut.
Në postimin e saj në Facebook, Presidentja Osmani thekson se kjo ditë është një kujtesë e lavdisë për heroizmin e pashuar të burrave dhe grave që luftuan për të mbrojtur Kosovën. “Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut,” shkruan ajo.
30 dhjetori bart në vetvete një simbolikë të veçantë për historinë e UÇK-së. Pikërisht në këtë datë, në vitin 1991, komandanti legjendar Adem Jashari, bashkë me familjen e tij, zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Sipas Presidentes Osmani, kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt i jashtëzakonshëm guximi, që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtetformim.
Beteja e parë e Adem Jasharit dhe sakrifica e familjes së tij u bënë frymëzim për mijëra burra e gra, të cilët iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta heronj të guximshëm i dolën zot atdheut në kohët më të vështira, duke u bërë simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare.
Presidentja Osmani përfundoi mesazhin e saj duke shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë veteranët e UÇK-së, si dhe duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit. “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së!” shkruan ajo.
Kjo ditë na kujton se liria që gëzojmë sot është rezultat i sakrificave të panumërta të atyre që nuk u ndalën përballë asnjë sfide. Le ta mbajmë gjallë këtë kujtesë historike dhe ta vlerësojmë lirinë si një thesar të përbashkët të gjithë shqiptarëve.
Lavdi dëshmorëve! Respekt përherë veteranëve të UÇK-së!