Shala denoncon neglizhencën: Maçiteva e mbuluar nga bora, papërgjegjësi totale e organeve kompetente!

26.12.2024

Kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr. Ardian Shala, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e rëndë në fshatin Maçitevë, i cili është mbuluar nga një shtresë e dendur bore.

Shala ka akuzuar organet kompetente për papërgjegjësi totale, duke theksuar se edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm nuk është vërejtur asnjë aktivitet i kompanive të pastrimit në zonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Shala ka publikuar një fotografi e cila tregon qartë gjendjen e rëndë të rrugëve në Maçitevë, duke e shoqëruar atë me një shkrim ku shpreh indinjatën e tij për neglizhencën e institucioneve.

“Ora 10 e mëngjesit dhe në Maçitevë nuk shihet asnjë kompani pastrimi. Papërgjegjësi totale e organeve kompetente!”, ka shkruar Shala në llogarinë e tij.

Banorët e Maçitevës shprehin shqetësimin e tyre për këtë situatë, duke theksuar se mungesa e pastrimit të rrugëve po ndikon negativisht në jetën e tyre të përditshme.

Ata kërkojnë nga organet kompetente të ndërhyjnë sa më shpejt për të zgjidhur këtë problem dhe për të siguruar kushte më të mira të jetesës.