Malishevë, dy të arrestuar pas një konflikti me të shtëna armësh
Pasditen e së shtunës në fshatin Astrazub të komunës së Malishevës, ka ndodhur një konflikt mes dy personave i cili ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe dy të arrestuar.
Sipas njoftimit të policisë, incidenti ka nisur gjatë një mosmarrëveshjeje në një lokal. Në kulmin e konfliktit, njëri prej të dyshuarve ka përdorur një armë zjarri duke qëlluar. Për fat të mirë, nuk ka pasur viktima apo dëme serioze në njerëz.
Megjithatë, njëri prej personave të përfshirë ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke konfiskuar si prova materiale një pistoletë me një fishek dhe tri gëzhoja të gjetura në zonë. Pas veprimeve hetimore fillestare, të dy personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Pas intervistimit, prokurori i rastit ka marrë vendimin që të dy të dyshuarit të mbahen në paraburgim. Rasti është klasifikuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe “Gjuajtje me armë zjarri.” Hetimet mbi këtë çështje po vazhdojnë.