APK lanson platformën për raportimin e korrupsionit
Sot, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar platformën e re për raportimin e korrupsionit.
Kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial për denoncimin e rasteve të dyshuara.
Në ceremoninë e lansimit, u theksua rëndësia e kësaj iniciative si një shtyllë kyçe për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike në vend.
Platforma është zhvilluar me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe UNDP Seul Policy Center, duke u bazuar në konceptin inovativ të “Clean Portal” të Koresë së Jugut. Ky model është adaptuar për t’iu përshtatur nevojave specifike të Kosovës dhe të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Ky projekt përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të teknologjisë për të adresuar sfidat më të mëdha të qeverisjes në botën moderne.
Përdorimi i kësaj platforme pritet të ndihmojë në identifikimin dhe parandalimin e praktikave të paligjshme, duke e bërë më të lehtë dhe të arritshme për qytetarët që të raportojnë raste korrupsioni. APK inkurajon të gjithë qytetarët dhe institucionet që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të kontribuojnë aktivisht në ndërtimin e një shoqërie më të ndershme dhe më të drejtë.
“Kjo platformë nuk është thjesht një mjet teknologjik, por një urë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve për një Kosovë të lirë nga korrupsioni,” u shpreh drejtori i APK-së gjatë prezantimit.