Krimet e luftës, Kurti: Janë grubulluar 190 metra material arkivor dhe 15 TB të dhëna digjitale

17.12.2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar të dhëna të rëndësishme në raportin 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, duke theksuar punën e madhe që po bëhet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Në këtë proces, janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terabajt material digjital, përfshirë video, audio dhe fotografi.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e kësaj pune për të ruajtur kujtesën historike të popullit të Kosovës dhe për ta përcjellë atë te gjeneratat e ardhshme. Ai gjithashtu theksoi faktin se Serbia ende refuzon të kërkojë falje për krimet e kryera.

“Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet dhe të zhdukurit. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme,” tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e kujtesës kolektive dhe drejtësisë historike.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë po bashkëpunon me institucione të ndryshme për të grumbulluar dhe sistemuar këto materiale, me qëllim dëshmimin e krimeve ndaj popullatës civile. Kurti vuri në dukje se këto përpjekje janë një investim në të ardhmen, për të siguruar që historia e errët të mos harrohet.

Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit, theksoi rëndësinë e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në punën e Institutit. “Raporti njëvjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës,” tha Hetemi.