Presidentja Osmani vazhdon takimet në SHBA, e ftuar në Simpoziumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Rhode Island, SHBA, me ftesë të sekretarit amerikan të Marinës, Carlos del Toro, për të marrë pjesë në Simpoziumin e 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në një postim në Facebook, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkushtimit për paqen dhe stabilitetin global.
“Momente si këto janë një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit për avancimin e paqes dhe stabilitetit në nivel global”, ka shkruar ajo në rrjetin social.
Pjesëmarrja e Presidentes Osmani në këtë ngjarje të rëndësishme thekson rolin që Kosova luan në çështjet e barazisë gjinore dhe promovimit të paqes ndërkombëtare. Simpoziumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbledh liderë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat dhe arritjet në fuqizimin e grave dhe ruajtjen e sigurisë globale.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur Kosova po intensifikon përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një partner kyç në mbështetjen e paqes dhe zhvillimit të vendit.