Fahrije Hoti: Ministri Peci të kërkojë falje publike për shpifje
Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, Hoti ka kërkuar që ministri të tërheq deklaratat e tij dhe të kërkojë falje publike.
Peci, në një dalje të mëparshme publike, kishte pohuar se Kooperativa “Krusha” ishte paditur në vitin 2017 për moskthim të fondeve të granteve. Por, Hoti e mohon kategorikisht këtë pretendim.
“Unë nuk do të lejoj që të njolloset emri im”, deklaroi Hoti me vendosmëri. Ajo theksoi se Kooperativa “Krusha” është ndërtuar me përpjekje të mëdha dhe se nuk ka pranuar ndihmë nga askush përveç disa granteve të Bashkimit Evropian.
“Kemi aplikuar për përkrahje, por jemi refuzuar. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Arsyeja ka qenë se nuk i kemi përmbushur kriteret”, sqaroi Hoti.
Hoti shtoi se nuk ka marrë asnjë ftesë për t’u paraqitur në gjykatë lidhur me një padi të tillë dhe se kërkon që ministri Peci të paraqes prova për pretendimet e tij. Në mungesë të provave, ajo kërkon që ministri të kërkojë falje publike për shpifjen që, sipas saj, i ka bërë jo vetëm asaj, por edhe të gjitha grave që janë pjesë e kooperativës.
“Nga 2015 deri më 2024 nuk kemi marrë asnjë grant dhe nuk kemi qenë përfitues, përjashtim nga Bashkimi Evropian në kohë pandemie”, theksoi Hoti.
Ajo shtoi se Kooperativa “Krusha” është një sukses i madh dhe një shembull i punës së palodhur dhe të përkushtimit. Kooperativa ka rreth 50 punëtorë, paguan rregullisht taksat dhe eksporton produktet e saj në disa shtete.