Kosova në kërkim të një mrekullie në Bukuresht: Dardanët përballë Rumanisë në ndeshjen vendimtare
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të përballet sonte me Rumaninë në një ndeshje që premton emocione të mëdha. Ky duel, i vlefshëm për Ligën e Kombeve, do të vendosë se cili prej këtyre dy ekipeve do të fitojë Grupin C2 dhe do të avancojë në Ligën B.
Në një grup mjaft të konkurrueshëm, Rumania aktualisht kryeson me 12 pikë, ndërsa Kosova e ndjek me 9 pikë. Për t’i marrë vendin rumunëve në krye të grupit dhe për të siguruar një vend në Ligën B, Dardanët do të duhet të fitojnë me një diferencë më të madhe se 3 gola.
Pas stërvitjes së fundit të zhvilluar mbrëmë, atmosfera në skuadrën e Kosovës është mjaft e mirë dhe lojtarët janë të vendosur të japin maksimumin e tyre. Trajneri Franco Foda, në konferencën për media, ka theksuar qartë ambicien e ekipit: “Kosova në Rumani ka ardhur për fitore”.
Ky takim premton të jetë një sfidë e vështirë për Dardanët, por ata do të mbështeten në talentin dhe vendosmërinë e lojtarëve të tyre për të arritur një rezultat pozitiv. Të gjithë shqiptarët do të jenë me sytë tek ekrani, duke i inkurajuar djemtë tanë në këtë betejë të rëndësishme.