Biseda Kusari-Radojiçiq, PDK mbledh 42 nënshkrime, kërkon seancë të jashtëzakonshme për nesër
Partia Demokratike e Kosovës ka arritur që të sigurojë 42 nënshkrime për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten lidhur me aferën e përgjimit të shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojiçiq.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se sapo ka dorëzuar kërkesën për Seancë të Jashtëzakonshme për ditën e premte në ora 12:00.
“Në emër të 42 deputetëve, sapo dorëzova në Kuvend kërkesën për Seancë të Jashtëzakonshme për ditën e nesërme nga ora 12:00, lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e kësaj Republike, për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës.
Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje.
Njëherit, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahjen këtij mega skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat.
Populli nuk meriton mjegull. Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij” ka shkruar Tahiri.