Vetura godet dy këmbësorë në Lipjan, zyrtari policor detyrohet të përdor edhe armën

19.02.2024

Mesditën e së hënës një incident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Lipjanit, ku për pasojë një automjet ka shkaktuar aksident duke goditur dy këmbësorë pranë stacionit të policisë së këtij qyteti.

Gjatë ngjarjes, një zyrtar policor ka qenë i detyruar të përdorë armen e shërbimit.

Rasti është bërë i ditur nga zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

Sipas tij, gjuajtja me armë nga ana e zyrtarit policor ka qenë një masë parandaluese në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës mes disa personave të dyshuar.

“Duke u referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se është njoftuar nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin në Lipjan ku dyshohet se është përdorur arma zyrtare për të parandaluar një përplasje fizike mes disa të dyshuarve. Informacionet fillestare tregojnë se zyrtari ka qëlluar në ajër si mjet parandalimi të incidentit,” shpjegoi Beka.

Beka shtoi se deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar si rezultat i përdorimit të armës.

“Hetuesit e IPK-së do të mbërrijnë në vendngjarje dhe do të kryejnë hetime në përputhje me procedurat ligjore. Veprimet e mëtejshme do të ndërmerren bazuar në autorizimet që ofron ligji,” përfundoi ai.

Ngjarja po trajtohet me seriozitetin e duhur dhe priten më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve paraprake.