KESCO i propozon ZRRE-së që aplikimi i tarifave të reja të rrymës të fillojë nga faturat e marsit

12.02.2022

Nga KESCO kanë theksuar se deri te një propozim i tillë ka ardhur si rezultat i vështirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët në Republikën e Kosovës. Ata thonë se synojnë që me këtë propozim të shmangin kofuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke […]

Nga KESCO kanë theksuar se deri te një propozim i tillë ka ardhur si rezultat i vështirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët në Republikën e Kosovës.

Ata thonë se synojnë që me këtë propozim të shmangin kofuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke zbatuar në të njëjtën faturë tarifat e deritanishme me tarifat e reja të energjisë elektrike.

“Ne synojmë që me këtë propozim të shmangim kofuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke zbatuar në të njëjtën faturë tarifat e deritanishme me tarifat e reja. Nëse ZRRE-ja do ta marrë për bazë këtë propozim, atëherë faturimi i tanishëm do të zbatohet me tarifat e vjetra për të gjithë konsumatorët.

Pavarësisht kërkesës se lartë për energji elektrike në ketë muaj dimri, KESCO është e angazhuar të mbartë kostot përkatëse, si lehtësim për konsumatorin”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se KESCO do të fillojë një fushatë për këshillim të konsumatorëve që si t’i përdorin pajisjet e tyre më së miri, kjo në mënyrë që të përballojnë sa më lehtë periudhën e faturimit me tarifa të reja.

“KESCO mbetet kompani e përkushtuar që të jetë sa më pranë konsumatorit dhe të ofrojë shërbime sa më kualitative me kostot më të ulëta të mundshme. I gjithë ky mision arrihet më së lehti dhe më së miri me ndërtimin e partneritetit me konsumatorët. Bashkimi i forcave para sfidave të mëdha, si kjo e muajve të fundit që goditi krejt botën, vecanërisht Evropën, është obligim që e lehtëson përballimin e tyre nga secili. Pra, krejt bashkë ia dalim më së miri”, thuhet tutje në komunikatë.

Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët që harxhojnë më shumë se 800 kWh.