Rritja e rasteve me COVID-19, MSH fillon takimet konsultative për shqyrtimin e masave

06.01.2022

Ditëve të fundit në vendin tonë është vërejtur një rritje e numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19, ku vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 107 raste të reja të infektimeve me këtë virus, një prej tyre në Suharekë. Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për […]

Ditëve të fundit në vendin tonë është vërejtur një rritje e numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19, ku vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 107 raste të reja të infektimeve me këtë virus, një prej tyre në Suharekë.

Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për marrjen e dozës së vaksinës anti-COVID, ndërsa ata që janë vaksinuar me dy dozat mund ta marrin edhe dozën e tretë.

Vetëm në pesë ditët e para të vitit 2022 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 329 raste të reja të infektimeve me COVID-19, ndërkaq është shënuar edhe një rast i vdekjes, kështu duke shkuar numri në 2,991 i personave që kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

Më 1 janar të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kishte bërë të ditur se janë konfirmuar 47 raste të reja me COVID-19 si dhe është regjistruar një rast i vdekjes. Ndërsa, më 2 janar MSH-ja kishte njoftuar se janë regjistruar 29 raste pozitive me COVID-19, kurse më 3 janar u regjistruan gjithsej 38 raste.

Rritja e rasteve me këtë virus ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim, ku më 4 janar u konfirmuan 108 raste pozitive me COVID-19, si dhe më 5 janar u konfirmuar 107 raste.

Ndryshe, Komuna e Suharekës nga 13 raste aktive me COVID-19 sa i kishte para se të fillonte rritja e numrit të infektimeve, tashmë ka shkuar numri në 26 raste aktive me këtë virus.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë tashmë ka filluar organizimin e takimeve konsultative lidhur me masat anti-COVID.

Takim i tillë konsultativ në lidhje me masat kundër COVID-19 është mbajtur edhe të mërkurën, ku nga MSH-ja kanë konfirmuar se masat janë duke u shqyrtuar.

“Po, ka pasur takime. Sot nuk pritet të merret ndonjë vendim në lidhje me masat antiCOVID-19 dhe është herët të flitet për këtë”, thanë për për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.

Komiteti antiCOVID-19 gjatë ditës së djeshme kishte pasur një takim për shqyrtimin e masave.