Kurti: Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë

30.09.2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se të zhdukurit në luftë janë çështja e parë në dialogun me Serbinë, duke shtuar se masakra e Rezallës është njëra nga dëshmitë e gjenocidit serb në Kosovë. Po ashtu, Kurti ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më të dashurve tuaj rëndon gjatë në jetën […]

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se të zhdukurit në luftë janë çështja e parë në dialogun me Serbinë, duke shtuar se masakra e Rezallës është njëra nga dëshmitë e gjenocidit serb në Kosovë.

Po ashtu, Kurti ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më të dashurve tuaj rëndon gjatë në jetën tuaj.

“Mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më të dashurve tuaj rëndon gjatë në jetën tuaj. 8215 ditë. Askush nuk mund ta dijë, kuptojë peshën e rëndë të mungesës mbi shpirtin tuaj. E madhe është dhimbja e kësaj dite. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë ku ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë që janë rritur duke pritur një përgjigje.

Të dashur familjarë, nuk ka fjalë që plotëson boshllëkun e familjarëve tuaj. Fjalët tona duhet përsëritur me zë të lartë që të dëgjohemi më shume se ata që mohojnë gjenocidin. Masakra e Rezallës është një nga dëshmitë e gjenocidit serb. Sot pas 22 vjetësh pritje na u kthyen trupat e këtyre qytetarëve që ishin varrosur në Kizhevak të Serbisë.

Kjo këtu sot është e vërteta që është përpjekur të mbulohet me varreza për dy dekada. Nuk mund të ndalemi derisa t’ua kthejmë familjarët dhe të sjellim drejtësi për ta. Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë. Qeveria është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për ballafaqim me të kaluarën dhe drejtësi për viktimat”, tha Kurti.