Korriku sjell ndryshime të reja në Zvicër: rregulla për familjet, shëndetësinë, transportin dhe udhëtimet
Muaji korrik 2026 do të sjellë një sërë ndryshimesh që do të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve në Zvicër. Reformat prekin fusha të ndryshme, nga edukimi i fëmijëve dhe shëndetësia, deri te transporti, ndërtimi dhe udhëtimet.
Foto: Ilustrim
Një nga ndryshimet kryesore hyn në fuqi më 1 korrik dhe lidhet me mbrojtjen e fëmijëve. Përmes ndryshimeve në Kodin Civil, prindërit do të kenë detyrimin që edukimin e fëmijëve ta zhvillojnë pa përdorim të dhunës, ndërsa do të zgjerohen edhe shërbimet mbështetëse për familjet.
Në sektorin e shëndetësisë, sigurimet shëndetësore do të fillojnë të mbulojnë disa aplikacione terapeutike digjitale, përfshirë platforma të përdorura për trajtimin e depresionit të lehtë dhe mesatar. Rimbursimi do të jetë i mundur vetëm kur aplikacionet të jenë rekomanduar nga mjekët specialistë.
Ndryshime do të ketë edhe për transportin rrugor. Shoferët e kamionëve që operojnë në transportin ndërkombëtar do të përballen me rregulla të reja për kohën e punës dhe pushimet, me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare.
Në fushën e planifikimit hapësinor, kantonet do të kenë një periudhë pesëvjeçare për të përgatitur strategji lidhur me ndërtimet jashtë zonave të përcaktuara.Ndërkohë, në nivel kantonal priten masa të reja për zhvillimin ekonomik në Cyrih dhe programe mbështetëse në Vaud për përshtatjen e banesave të të moshuarve, në mënyrë që ata të mund të jetojnë më gjatë në shtëpitë e tyre.
Edhe udhëtimet do të preken nga ndryshimet. Kompania ajrore SWISS do të hapë një linjë të re nga Cyrihu drejt Rijekës në Kroaci, ndërsa do të shtohen edhe lidhjet ajrore ndërkombëtare nga Aeroporti i Cyrihut. Po ashtu, falë teknologjive të reja të kontrollit, udhëtarët do të kenë mundësi të bartin më shumë lëngje në bagazhin e dorës gjatë kalimit në siguri.
