Drejtori Visar Kuçi kandidat për Asamblenë Komunale në Suharekë

23.08.2025

Visar Kuçi është prezantuar si kandidat për Asamblenë Komunale në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Aktualisht ai ushtron detyrën e Drejtorit të Urbanizmit, Planifikimit dhe Mjedisit në Komunën e Suharekës, pozitë në të cilën ka shënuar arritje të rëndësishme gjatë katër viteve të fundit.

Kuçi është i diplomuar me dy tituj Bachelor – në Inxhinieri dhe Arkitekturë si dhe në Menaxhim Emergjencash. Përvoja e tij akademike dhe profesionale është reflektuar në punën konkrete për zhvillimin urban dhe mjedisor të qytetit.

Në mandatin e tij si drejtor, ai ka realizuar disa nga projektet më të rëndësishme për komunën, duke përfshirë:

  • Hartën Zonale të qytetit, e cila rregullon zhvillimin hapësinor dhe ndërtimor.
  • Planin e Mobilitetit Urban, me synim përmirësimin e lëvizshmërisë së qytetarëve.
  • Planin Lokal të Veprimit në Mjedis, me masa konkrete për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
  • Iniciimin e shumë planeve rregulluese, duke ofruar një vizion të qartë për zhvillimin urban.
  • Digjitalizimin e dokumenteve hapësinore, duke e bërë Suharekën një ndër komunat më të avancuara në këtë drejtim.

Gjithashtu, ai ka menaxhuar projekte kapitale që kanë lënë gjurmë të qarta në infrastrukturën dhe pamjen e qytetit, duke krijuar hapësira funksionale, të gjelbëruara dhe moderne.

Me rastin e prezantimit të tij si kandidat, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vlerësuar lart punën e Visar Kuçit, duke theksuar se përmes kontributit të tij, Suhareka ka marrë një drejtim të qartë zhvillimor dhe është shndërruar në një prej komunave më të suksesshme në planifikimin urban.

Kuçi tani synon që përvojën dhe vizionin e tij ta vazhdojë edhe në Asamblenë Komunale, duke dhënë një kontribut më të madh për të ardhmen e Suharekës.