Dominon diaspora e Suharekës: 668 votues janë regjistruar për Zgjedhjet Lokale 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka mbetur edhe një javë e gjysmë afat, deri më 29 gusht 2025, për regjistrimin e votuesve nga diaspora për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025.
Deri më 19 gusht, nga 9,961 aplikime të pranuara, 7,681 janë aprovuar, ndërsa 2,280 janë refuzuar.
Të dhënat e publikuara nga KQZ tregojnë një angazhim të lartë të diasporës në procesin zgjedhor, me një theks të veçantë në disa komuna. Sipas statistikave, komuna e Suharekës prin bindshëm me numrin më të madh të votuesve të regjistruar, me 668 aplikime të aprovuara. Pas saj vijnë Dragashi me 583 dhe Deçani me 569.
Ndërkohë, sa i përket shteteve, Gjermania mbetet lideri i padiskutueshëm me 3,844 votues të regjistruar, e ndjekur nga Zvicra me 1,667 dhe Austria me 408. Këto shifra dëshmojnë për praninë e madhe të mërgatës kosovare në këto shtete dhe interesimin e tyre për zhvillimet politike në vendlindje.
KQZ ka theksuar se shkak për numrin e lartë të refuzimeve (2,280) ka qenë mosplotësimi i dokumentacionit, kryesisht dëshmisë së adresës së banimit jashtë Kosovës. Megjithatë, aplikuesit e refuzuar kanë mundësinë të ri-aplikojnë gjatë periudhës së regjistrimit, duke bashkangjitur dokumentet e nevojshme.

Aplikimi mund të bëhet nëpërmjet platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose me postë. Të gjithë ata që regjistrohen deri më 29 gusht 2025, do të mund të votojnë me postë në periudhën 17 shtator – 11 tetor 2025.