Analistët: Partitë politike duhet t’i gjejnë problemet te vetja e jo t’i sulmojnë mediat

22.01.2021

Në mbrëmjën e së enjtës në RTV Dukagjini, analistët i kanë komentuar sulmet e fundit nga partitë politike në drejtim të këtij televizioni. E që sipas analistëve, Vehbi Kajtazi, Imer Mushkolaj, Ilir Mirena, Astrit Gashi, Visar Ymeri dhe Arton Demhasaj, partitë politike duhet t’i gjejnë problemet tek vetja dhe jo të sulmojnë mediat. Vehbi Kajtazi […]

Analistët: Partitë politike duhet t’i gjejnë problemet te vetja e jo t’i sulmojnë mediat Foto: Ilustrim

Në mbrëmjën e së enjtës në RTV Dukagjini, analistët i kanë komentuar sulmet e fundit nga partitë politike në drejtim të këtij televizioni.

E që sipas analistëve, Vehbi Kajtazi, Imer Mushkolaj, Ilir Mirena, Astrit Gashi, Visar Ymeri dhe Arton Demhasaj, partitë politike duhet t’i gjejnë problemet tek vetja dhe jo të sulmojnë mediat.

Vehbi Kajtazi ka thënë se të mbahet një konferencë për media kundër një televizioni është e turpshme.

“Në Kosovë nuk ka oligarkë e oligarki. Po të ishte ndryshe askush nuk do të mund të delte në televizion për t’i kritikuar këta oligarkë…Prandaj këto akuza janë të zakonshme sa herë që partitë politike ndihen në siklet. Askush nuk iu ka faj PDK-së, LDK-së e AAK-së pse LVV po rritet. Ajo po rritet për fajin e tyre jo pse atë [LVV] e duan njerëzit apo i besojnë asaj”, tha Kajtazi

Imer Mushkolaj thotë se konferenca si ajo e PDK-së apo komunikata e LDK-së krijojnë vështirësi pune për gazetarët.

“Partitë politike duhet të përmbahen nga linçimi i mediave dhe gazetarëve. Nëse kanë probleme me raportimin e gazetarëve, partitë duhet t’iu drejtohen organeve përgjegjëse.  Kur ne i sulmojmë na thonë drejtohuni në gjykata e Prokurori. Pse ato vet tash nuk iu drejtohen atyre institucioneve”, tha Mushkolaj

Ilir Mirena thotë se partitë politike problemin duhet ta gjejnë brenda vetes e jo diku tjetër.

“Që nga paslufta ka pasur sulme të tilla ndaj mediave. Nuk janë mediat ato që ua shkaktojnë humbjet ose fitoret gjatë zgjedhjeve partive. Edhe për LDK-në edhe për PDK-në e kam një këshillë. Ato të gjejnë defektet dhe telashet për zgjedhjet e 14 shkurtit. Konflikte të tilla ka pasur me te gjitha partitë politike. Probleme me mediat kemi parë edhe në SHBA”.

Astrit Gashi thotë se mediat e kanë agjendën e tyre por edhe partitë politike kanë agjendën e tyre.

“Agjenda e partive politike duhet të jetë e kapshme për publikun. Askush nuk ju ka faj subjekteve politike nëse agjenda e tyre nuk është e qëlluar”.

Visar Ymeri thotë se partitë politike zakonisht humbjen e tyre në zgjedhje ua adresojnë të tjerëve.

“Partitë politike duhet ta dinë se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet dy javë para zgjedhjeve…Kur partitë politike bëjnë kësi lloj sulmesh e gjejnë shënjestrën më të lehtë”.

Arton Demhasaj thotë se subjektet politike në Kosovë janë subjekte që e quajnë veten demokratike, por sipas tij nuk është e ndershme të sulmohen mediat.

“Nuk janë mediat ato që e kanë sjellë diktaturën në ndonjë vend, por partitë politike janë ato që sjellin diktaturën. Nuk është faji te mediat por te partitë. Të sulmohet me konferencë për media një televizion është sulm direkt ndaj lirisë së shprehjes që e njohin konventat ndërkombëtare”, tha mes tjerash Arton Demhasaj.