Shpërthim nga fishekzjarret në Prizren: Flakët përfshijnë lokale dhe banesa, një person i lënduar

31.12.2024

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Prizrenit, si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Shpërthimi ka shkaktuar zjarr të përmasave të mëdha, duke përfshirë disa lokale dhe banesa në rrugën “Ahmet Prishtina”.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka dhënë detaje mbi incidentin:

“Rreth orës 21:33, policia ka pranuar një informatë për një shpërthim zjarri të shkaktuar nga ndezjet në një pikëshitje të mjeteve piroteknike. Si pasojë, zjarri është përhapur në të gjitha lokalet ku operonin shitësit ambulantë,” tha Gashi.

Një person i lënduar dhe dëme të konsiderueshme

Zjarri ka përfshirë disa lokale dhe banesa përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Një person është lënduar si pasojë e incidentit dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Situata nën kontroll

Njësitë relevante të Policisë dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll. “Situata tashmë është stabilizuar dhe hetimet mbi shkakun dhe rrethanat e incidentit janë duke vazhduar,” deklaroi Gashi.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike dhe të shmangin aktivitetet që mund të rrezikojnë jetën dhe pronën.