Prizren, vdes një 40-vjeçar pas aksidentit në vendin e punës

31.07.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur më 30 korrik në qytetin e Prizrenit, ku një punëtor rreth 40 vjeç, me inicialet N.XH., nga Drenasi, ka humbur jetën pas një incidenti në vendin e punës.

Sipas konfirmimit të zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, viktima ka rënë nga kulmi i një ndërtese gjatë kryerjes së punimeve dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja është raportuar rreth orës 12:45 dhe menjëherë janë njoftuar hetuesit kujdestarë si dhe prokurori i shtetit. Ky i fundit ka udhëzuar inicimin e një procedure penale për veprën penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Hetimet janë në zhvillim e sipër për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të standardeve të sigurisë në vendin e punës.