Prizren, konfirmohet rasti i parë i murtajës së deleve dhe dhive në Landovicë – AUV shpall zonën të infektuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar shpërthimin e parë të sëmundjes Peste des Petits Ruminants (PPR), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
Pas pranimit të raportit mbi dyshimet për prezencë të kësaj sëmundjeje, ekipet e mjekësisë veterinare janë aktivizuar menjëherë, duke vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar dhe duke marrë mostra për testim. Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e virusit në mostrat e marra nga ferma. Mostrat nga fermat përreth kanë rezultuar negative.
Bazuar në rezultatet laboratorike, AUV ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar. Brenda një perimetri prej 3 km nga ferma e prekur është vendosur masë karantine. Në këtë zonë ndalohet rreptësisht lëvizja e kafshëve, transporti dhe qarkullimi i produkteve dhe nënprodukteve të tyre. Janë ndërmarrë masa të biosigurisë në ferma, përfshirë dezinfektimin e objekteve dhe zonave përreth, si dhe fillimin e hetimeve epidemiologjike për burimin e infeksionit.
Me qëllim të kontrollit, parandalimit dhe luftimit të përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, AUV ka nxjerrë më 3 korrik 2025 një vendim zyrtar me nr. 01/537/2025, i cili parashikon masat e mëposhtme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës:
- Ndalimi i lëvizjes, tregtimit dhe shitblerjes së deleve dhe dhive.
- Detyrimi i fermerëve për të raportuar menjëherë çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore te kafshët.
- Praktikat veterinare duhet të raportojnë çdo rast të dyshuar të PPR te autoriteti zyrtar.
- Kryerja e inspektimeve të menjëhershme në fermat e dyshuara dhe dërgimi i mostrave për analizë.
- Groposja e kafshëve të infektuara dhe përcaktimi nga komunat i lokacioneve për asgjësim.
- Dezinfektimi i detyrueshëm i fermave dhe zonave përreth.
Përjashtimisht, lejohet vetëm transporti i kafshëve nga fermat e lira nga PPR drejt thertoreve të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të AUV.
Gjithashtu, menaxherët e tregjeve janë të detyruar të ndalojnë pranimin e deleve dhe dhive në tregje, ndërsa Policia e Kosovës dhe komunat janë të obliguara të bashkëpunojnë me AUV-në për mbikëqyrjen e zbatimit të masave.
Çfarë është PPR?
PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Shfaqet me simptoma të rënda si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje të fortë. Sëmundja shkakton ngordhshmëri të lartë dhe dëmton rëndë ekonominë blegtorale.
Megjithatë, PPR nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha te njeriu.
AUV vazhdon të apelojë për bashkëpunim të plotë nga të gjithë fermerët, veterinarët dhe institucionet lokale për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.