Prizren, 44-vjeçari goditet me thikë pas një mosmarrëveshjeje, dy të arrestuar
Një incident ka ndodhur në fshatin Poslishtë të Prizrenit, ku një mosmarrëveshje mes dy personave ka përfunduar me lëndime trupore për një 44-vjeçar.
Sipas burimeve policore, viktima R. Sh., i lindur më 1980, është goditur me mjet të mprehtë në krahëror nga një 18-vjeçar, të cilin ai nuk e njihte më parë.
Incidenti është raportuar rreth orës 16:35, kur viktima është dërguar në emergjencën e spitalit rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Mjekët kanë konfirmuar se ai është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë deklaratën e viktimës. Në vazhdim, autoritetet kanë arrestuar dy persona si të dyshuar për përfshirje në rast: një të mitur dhe një të rritur.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar: “Dy persona janë arrestuar si të dyshuar lidhur me rastin, një i mitur dhe një madhor.”
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.