Dyshohet për tentativë vetëvrasje në Landovicë, 38-vjeçari pëson lëndime të rënda trupore

28.12.2024

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Landovicë të Prizrenit, ku një 38-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i shtëpisë.

Rasti është raportuar rreth orës 14:10 dhe është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Sipas Bytyqit, viktima, i identifikuar si N.G., mashkull, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar menjëherë në emergjencën e spitalit të Prizrenit.

“I lënduari, sipas mjekut kompetent, është në gjendje të rëndë dhe ende gjendet në rrezik për jetën,” deklaroi Bytyqi.

Policia ka reaguar menjëherë, me Sektorin e Hetimeve të Stacionit Policor Prizren Veri dhe Sektorin Rajonal të Hetimeve të cilët janë duke e trajtuar rastin. Prokurori përgjegjës është informuar për ngjarjen dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Gjendja shëndetësore e viktimës vazhdon të monitorohet nga mjekët, ndërsa hetimet për rrethanat që çuan në këtë tentativë tragjike janë duke vazhduar.