Tensione në Suharekë, ndërpritet ndeshja Ylli – Peja

10.04.2025

Një atmosferë e tensionuar dhe incidente e kanë shoqëruar ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe KB Pejës në Suharekë, duke çuar në ndërprerjen e parakohshme të saj.

Tensione në Suharekë, ndërpritet ndeshja Ylli – Peja

Klubi i basketbollit Peja ka njoftuar përmes një postimi zyrtar se ndeshja është ndërprerë për shkak të sulmit ndaj basketbollistëve të tyre. Sipas njoftimit, lojtarët pejanë janë sulmuar gjatë hyrjes në zhveshtore, ndërsa më herët janë bombarduar vazhdimisht me sharje dhe gjësende të ndryshme nga tifozeria vendase.

“Ndeshja ndërpritet pas sharjeve dhe hedhjeve të vazhdueshme nga tifozeria vendase. Po ashtu edhe është sulmuar skuadra jonë gjatë hyrjes në zhveshtore”, thuhet në postimin e klubit Peja.

Ndeshja, e cila pritej të ishte një përballje e fortë sportive, u ndërpre 3 minuta e 30 sekonda para përfundimit të pjesës së parë. Në ato momente, ekipi i Pejës po udhëhiqte me rezultat 36:31, duke treguar një lojë të fortë në parket.

Sipas informacioneve të para, incidentet nisën me hedhjen e gjësendeve të ndryshme nga tifozët vendas në drejtim të lojtarëve të Pejës. Situata më pas u tensionua edhe më shumë, duke kulmuar me goditje me karrige, duke rrezikuar seriozisht integritetin fizik të sportistëve.

Pas ndërprerjes së ndeshjes, ekipi mysafir i Pejës u tërhoq në dhomat e zhveshjes për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Lidhur me rifillimin e ndeshjes, raportohet se ajo do të vazhdojë pasi të zbrazen tribunat nga tifozët. Mbetet të shihet se si do të menaxhohet situata nga organet kompetente dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar në lidhje me këtë ndeshje të ndërprerë.

Etiketat

Ofertat e fundit