Superliga e Kosovës: Derbi i zjarrtë Ylli-Peja hap xhiron e 11-të
Pas emocioneve të Kupës së Kosovës, vëmendja kthehet në Superligën e basketbollit, ku xhiroja e 11-të premton përballje të nxehta.
Këtë fundjavë, fansat e basketbollit do të kenë mundësi të shijojnë dy duele të veçanta, duke filluar me derbin e nxehtë mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës.
Ndeshja do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00 në Suharekë, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë një fitore që t’i ngjallë shpresat për një klasifikim më të mirë në tabelë. Asnjëra prej tyre nuk është në pozitën që e synon në fillim të sezonit.
Peja, me një bilanc prej pesë fitore dhe pesë humbje, renditet e katërta, ndërsa Ylli, me të njëjtin bilanc, është një vend më poshtë. Të dyja skuadrat kanë treguar formë të mirë në disa ndeshje, por edhe pasiguri në të tjera.
Një fitore në këtë derbi do të ishte një injeksion i madh pozitiviteti për fituesin, duke i afruar më shumë vendeve të para në tabelë.
Bora në kërkim të pikëve të para kundër Bashkimit
Një tjetër ndeshje interesante e kësaj xhiroje është ajo mes Borës dhe Bashkimit, e cila do të luhet të shtunën në orën 19:00. Bashkimi, aktualisht në vendin e dytë me tetë fitore dhe dy humbje, shkon në këtë ndeshje si favorit i thellë.
Në ndeshjen e fundit të Kupës, Bashkimi e mposhti Borën me një diferencë të madhe, duke treguar superioritet të plotë. Bora, nga ana tjetër, është në fund të tabelës me vetëm një fitore dhe tetë humbje, dhe do të kërkojë me çdo kusht të shpërthejë surprizën.
Një fitore e Bashkimit do ta konsolidonte pozitën e tyre në krye të tabelës, ndërsa një fitore e Borës do të ishte një ngritje e madhe morale për skuadrën e Prishtinës.