Qeveria e Kosovës miraton dy vendime historike për avancimin e sportit

para 7 dite

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar dy vendime historike për sportin në vend. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, janë miratuar Strategjia Shtetërore për Sport 2025-2030 dhe Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Qeveria e Kosovës miraton dy vendime historike për avancimin e sportit

Strategjia e re është dokumenti i parë i këtij lloji në Kosovë dhe shënon një angazhim të qartë për avancimin e sportit dhe përfaqësimin e tij në nivel ndërkombëtar.

Spipas ministrit Çeku, strategjia përqendrohet në katër qëllime kryesore:

  1. Qeverisje e mirë dhe integritet në sport – Përmirësimi i transparencës dhe integritetit në menaxhimin sportiv, duke siguruar një administrim profesional dhe të drejtë.
  2. Avancimi i performancës sportive – Përgatitja e sportistëve dhe ekipeve për të konkurruar me sukses në gara ndërkombëtare.
  3. Shoqëri aktive dhe e shëndetshme – Nxitja e aktiviteteve fizike për të gjitha grupmoshat, duke përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
  4. Diplomacia publike dhe zhvillimi ekonomik përmes sportit – Përdorimi i sportit si mjet për promovimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të tërhequr investime ekonomike.

Kjo strategji vjen si një përgjigje ndaj nevojës për zhvillim të qëndrueshëm dhe profesionalizim të sportit, duke përfshirë qasjen gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen institucionale.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është miratimi i Projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Ky projektligj krijon bazën ligjore për organizimin e ngjarjes më të madhe sportive në historinë e Kosovës dhe e shpall atë çështje me interes të veçantë publik, ka thënë Çeku nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Përmes këtij projektligji:

  • Theksohet rëndësia strategjike e Lojërave Mesdhetare për promovimin e Kosovës si një qendër sportive dhe kulturore.
  • Themelohet Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, i cili do të ketë përgjegjësinë për menaxhimin dhe organizimin e suksesshëm të ngjarjes.
  • Sigurohet angazhim i plotë i institucioneve shtetërore për mbështetjen logjistike, financiare dhe organizative.

Miratimi i këtyre dy dokumenteve është një hap madhor për zhvillimin e sportit në Kosovë. Strategjia ofron një kornizë të qartë për të ardhmen e sportit, ndërsa Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 pritet të sjellin përfitime të shumta:

  • Rritje të investimeve në infrastrukturën sportive.
  • Promovim të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
  • Nxitje të turizmit dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Etiketat