Laura Fazliu i sjell Kosovës medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos në Budapest

16.06.2025

Xhudistja e mirënjohur kosovare, Laura Fazliu, ka shkëlqyer edhe një herë në arenën ndërkombëtare, duke i siguruar Kosovës medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Budapest.

Garuesja jonë, që garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, kaloi pa luftë raundin e parë të repesazhit, pasi xhudistja nga Mongolia, Enkhriilen Lkhagvatogoo, nuk arriti të dalë në tatami për shkak të një lëndimi në dorë të pësuar në luftën e mëparshme.

Në përballjen vendimtare për medaljen e bronztë, Fazliu e mposhti me ‘Ippon’ xhudisten braziliane Nauana Silva, duke vulosur një tjetër sukses për sportin e Kosovës.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në një kampionat botëror — të njëjtën arritje ajo e shënoi edhe vitin e kaluar, duke konfirmuar nivelin e lartë dhe konsistencën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kjo është medalja e dytë për Kosovën në këtë kampionat botëror, pas suksesit të Distria Krasniqit, e cila dy ditë më parë fitoi medaljen e argjendtë.

Sporti i xhudos vazhdon të jetë burim krenarie për vendin, ndërsa Laura Fazliu edhe një herë dëshmoi se është ndër emrat më të mëdhenj të xhudos botërore.