Klubet e pakënaqura nuk do të bojkotojnë kampionatin, dalin me vendime pas takimit me presidentin e FFK-së
Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, si zakonisht në prag të çdo stinori, kanë pritur përfaqësuesit e klubeve të IPKO Superligës. Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth përgatitjeve për fillim sa më të mbarë të stinorit pranveror, derisa janë dëgjuar edhe vërejtjet dhe kërkesat e klubeve. Me këtë rast presidenti Ademi uroi […]
Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, si zakonisht në prag të çdo stinori, kanë pritur përfaqësuesit e klubeve të IPKO Superligës.
Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth përgatitjeve për fillim sa më të mbarë të stinorit pranveror, derisa janë dëgjuar edhe vërejtjet dhe kërkesat e klubeve.
Me këtë rast presidenti Ademi uroi klubet për një stinor sa më të suksesshëm dhe bëri me dije se të gjitha organet e FFK-së tashmë janë të gatshme për nismën e garave të Superligës.
Po ashtu, gjatë këtij takimi drejtuesit e FFK-së dëgjuan edhe kërkesat e klubeve rreth vërejtjeve të paraqitura në Kuvend. Me këtë rast, presidenti Ademi dhe sekretari Salihu i njoftuan përfaqësuesit e klubeve se Statuti i FFK-së së bashku me pjesën e kërkesave të përfaqësuesve të klubeve për amendamentim janë dorëzuar në UEFA dhe tashmë priten sugjerimet e UEFA-s e FIFA-s në lidhje me rifreskimin e Statutit.
Pas arritjes së sugjerimeve nga Komisioni miks i UEFA-s e FIFA-s, ekspertët e FFK-së do të bëjnë amendamentimin e Statutit, si dhe do të bëhet edhe përgatitja e raporteve financiare dhe raporteve tjera dhe në kohën më të shpejtë të mundshme do të caktohet data e Kuvendit të Punës, ku delegatët do të votojnë për ndryshimet statutare.
Pas takimit, gjashtë klubet e pakënaqura, Llapi, Trepça ’89, Prishtina, Drenica, Ballkani dhe Ferizaj, dolën me një qëndrim.
Në shkrimin e publikuar nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thuhet se kanë marrë premtime nga presidenti i FFK, Agim Ademi, në kërkesat e tyre.
Njoftimi i gjashtë klubeve
Njoftim rreth takimit të sotëm me Kryetarin dhe Sekretarin e FFK-së
Vazhdon qëndrimi i përbashkët i gjashtë skuadrave të Superligës (KF Llapi, FC Prishtina, FC Ballkani, KF Trepça ’89, FC Drenica dhe FC Ferizaj)
Pas takimit të mbajtur me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu, i njoftuam ata me 2 pikat kryesore si kërkesat tona të vetme:
Pika e parë – Ne 6 klubet e lartëcekura nuk e njohim Komitetin Ekzekutiv i zgjedhur në kuvendin e datës 27.01.2020;
dhe
Pika e dytë – Ne 6 klubet e lartëcekura dhe disa klube tjera kërkojmë ndryshime statutare (që kërkojmë përfaqësimin e klubeve tona në Komitet me nga një anëtar të secilit klub të Superligës që të jemi të barabarta të gjitha klubet njësoj).
Agim Ademi deklaroj se është PRO kërkesës tonë qe me ndryshime statutare të gjitha klubet e Superliges të jenë pjesë e Komiteti Ekzekutiv dhe se një gjë e tillë do të bëhet në Kuvendin e ardheshëm të punë pasi qe amendamentet e propozuara nga ne janë dërguar në FIFA dhe UEFA.
Agim Ademi dhe Eroll Salihu u zotuan para nesh dhe na premtuan se të gjitha klubet e Superligës do të jenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv në FFK nëse jemi në harmoni me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s.
Ne klubet vendosëm që të vazhdojmë garën për hirë të ndeshjes së Përfaqësueses në muajin mars dhe njëherit po presim përgjigje nga UEFA dhe FIFA.
Në rast se Agim Ademi nuk i përmbahet zotimit të tij, do të përballet me të gjitha klubet.
Gjithashtu ne presim edhe verdiktin e fundit të Gjykatës pasi që kemi bërë padi për arsye se janë shkelur pothuajse të gjitha nenet e Statutit gjatë Kuvendit të mbajtur më 27.01.2020 dhe do të marrim vendimet e fundit për të gjitha veprimet e radhës.
Me respekt
Anëtarët e Këshillit për Reformë dhe ndryshime statutare në FFK