Starlink tani edhe në Kosovë
Rrjeti global i internetit satelitor, Starlink, ka zgjeruar shërbimet e tij edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
Kjo risi u bë e ditur nga vetë kompania përmes një postimi në rrjetin social X.
“Interneti me shpejtësi të lartë dhe me vonesë të ulët i Starlink tani është i disponueshëm në Kosovë!”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky lajm vjen si një hap i madh për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë, duke ofruar akses në internet për zona që deri më tani kanë pasur sfida të mëdha për lidhje të qëndrueshme dhe të shpejtë.
Çfarë Është Starlink?
Starlink është një rrjet satelitor i zhvilluar dhe operuar nga SpaceX, kompania e njohur amerikane e hapësirës ajrore në pronësi të Elon Musk. Përmes një flote të madhe satelitësh të pozicionuar në orbitë të ulët të Tokës, Starlink ofron internet me shpejtësi të lartë dhe vonesë të ulët në mbi 100 vende dhe territore anembanë botës.
Shërbimi është veçanërisht i dobishëm për rajone rurale apo të largëta ku infrastruktura tradicionale e internetit është e kufizuar ose mungon krejtësisht. Duke përdorur pajisjet e tij të lehta për instalim, Starlink ka transformuar mënyrën se si njerëzit lidhen në zona të izoluara.