OpenAI vonon ardhjen e zërave ‘joshës’ të asistentëve të ChatGPT
Ata që shpresonin të dëgjonin zërat joshës të asistentëve zanorë ChatGPT këtë verë, të cilat OpenAi njoftoi muajin e kaluar, do të duhet të presin ende.
OpenAI tha se i duhet më shumë kohë për të “rregulluar” funksionin e tij “modaliteti i avancuar i zërit” për të qenë gati për “lansim”.
Ky funksion do të jetë i disponueshëm për një grup të vogël përdoruesish në mënyrë që kompania të marrë reagime, por pas kësaj do të arrijë të gjithë përdoruesit e ChatGPT që paguajnë një abonim.
“Jemi duke punuar në përmirësimin e aftësisë së modelit për të zbuluar dhe refuzuar përmbajtje të caktuara. Ne po përmirësojmë gjithashtu përvojën e përdoruesit dhe po përgatisim infrastrukturën tonë për miliona përdorues duke ruajtur përgjigjen në kohë reale”, thuhet në profilin e kompanisë në rrjetin social X.
Zërat kanë qenë pjesë e ChatGPT që nga viti 2023, por muajin e kaluar OpenAI tregoi një version të përmirësuar që dukej aq “njerëzor” sa u krahasua me zërin e Samantës, asistentja joshëse e zërit nga filmi “Her” (2013).
Rolin në film e ka luajtur aktorja e famshme Scarlett Johansson, e cila disa javë pas prezantimit akuzoi OpenAI-n se kopjoi zërin e saj, pavarësisht se nuk pranoi të jepte leje për të.
OpenAI pretendon se është ende duke menduar se kur do t’u ofrojë zërat e rinj abonentëve, por kjo do të ndodhë gjatë vjeshtës.
Përveç zërave, është vonuar edhe ardhja e një funksioni që lejon asistentin zanor të përdorë kamerën e celularit për të “kuptuar” botën përreth përdoruesit.
“Afatet e sakta varen nga përmbushja e kërkesave të sigurisë dhe besueshmërisë”, tha kompania OpenAI.