Krasniqi në konferencën për kriptovaluta: Kosova mundet dhe duhet të dalë në ballë të inovacionit digjital

29.06.2024

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në hapjen e Konferencës “BlockTalk Prishtina”, e cila po organizohet nga komuniteti shqiptar për kriptovaluta.

Krasniqi në konferencën për kriptovaluta: Kosova mundet dhe duhet të dalë në ballë të inovacionit digjital Foto: Ilustrim

Gjatë kësaj konference, Krasniqi pati rastin të flasë mbi inovacionin digjital dhe rolin e kriptovalutave në të ardhmen, shkruan Indeksonline.

“Konferenca si kjo, janë platforma të shkëlqyera diskutimi dhe vetëdijesimi, pasi që potenciali i teknologjive të reja digjitale e financiare për të ndryshuar paradigmat ekzistuese dhe për të transformuar të ardhmen tonë është jashtëzakonisht i madh” tha Krasniqi.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

“Kënaqësi e veçantë që, sot, në hapjen e Konferencës “BlockTalk Prishtina”, e para e këtij lloji e organizuar nga komuniteti Crypto Albanians, të flisja për teknologjitë e reja, inovacionin digjital dhe rolin e blockchain dhe kriptovalutave në të ardhmen tonë.

Konferenca si kjo, janë platforma të shkëlqyera diskutimi dhe vetëdijesimi, pasi që potenciali i teknologjive të reja digjitale e financiare për të ndryshuar paradigmat ekzistuese dhe për të transformuar të ardhmen tonë është jashtëzakonisht i madh.

Gjithmonë kam besuar dhe besoj fort se Kosova mundet dhe duhet të jetë ndër vendet që dalin në ballë të inovacionit digjital në rajonin tonë, duke utilizuar potencialin e madh të rinisë sonë dhe përvojën tashmë ekzistuese në këto fusha.”