Kosova vendi me përdorimin më të lartë të internetit në Evropë
Në Kosovën përdorimi i internetit është pothuajse një nga më të lartët në Evropë. Kështu thuhet në një shkrim të fundit të bërë nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF), duke shtuar se vendi ynë ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin dixhital. “Projekti i Ekonomisë Dixhitale (KODE), i filluar pesë vite më parë, kishte për qëllim të sigurojë […]
Në Kosovën përdorimi i internetit është pothuajse një nga më të lartët në Evropë. Kështu thuhet në një shkrim të fundit të bërë nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF), duke shtuar se vendi ynë ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin dixhital.
“Projekti i Ekonomisë Dixhitale (KODE), i filluar pesë vite më parë, kishte për qëllim të sigurojë që qytetarët e Kosovës të kenë qasje të barabartë në mundësitë dixhitale, qoftë për punë, arsim, shërbime sociale apo argëtim. Sot, në vitin 2023, pothuajse të gjithë në Kosovë përdorin internetin dhe numri i përdoruesve në shërbimet me brez të gjerë është një nga më të lartët në Evropë”, shkruan WEF.
Sipas WEF, programi krijoi investime të sektorit privat në fshatra.
KODE ofroi pagesa të njëhershme të granteve për operatorët e internetit për të ndërtuar rrjetet e tyre në fshatra.
“Projekti nënkuptonte se vetëm një pjesë e kostove mbulohej, pjesa tjetër u pagua nga operatorët e internetit. Këtyre rrjeteve të bashkëfinancuara iu kërkua të jepnin internet me shpejtësi prej 100 Mbps në çdo shtëpi, shkollë dhe qendër shëndetësore”, shton Forumi.
Po ashtu, aty thuhet se kostoja e këtij shërbimi në fshatra është i njëjtë sikurse në qytete.
“Qeveria u dha grante operatorëve të internetit me kosto më të ulët. Konkurrenca ishte e ashpër: ka më shumë se 60 operatorë në Kosovë, shumë prej të cilëve janë firma vendore. Njëzet e një operatorë fituan të paktën një grant”, thekson WEF.
Në fund thuhet se, operatorët e internetit kontribuuan me 30 për qind të financimit.
Kujtojmë se mbi 97 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet, ku çdo i dyti prej tyre ka blerë online së paku një herë brenda një viti.
Pas Kosovës, me 84 për qind është Maqedonia e Veriut, ndjekur nga Serbia me 80 për qind, Mali i Zi me 79 për qind dhe e fundit Bosnja e Hercegovina me 74 për qind.
98 për qind e qytetarëve në Kosovë blejnë online nga shitësit vendor. Vetëm 8 për qind e tyre thonë se blejnë nga shitësit e vendeve jo-evropiane, 5 për qind nga shitësit në të gjithë botën, 4 për qind nga shitësit brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa vetëm 1 për qind nga ato vende jo të specifikuara.