Elon Musk tha se Grok-1.5 do të bëhet i disponueshëm javën e ardhshme

30.03.2024

Në fillim të muajit Musk tha se xAI do të bënte Grok open-source pak ditë pasi paditi OpenAI se ka “shitur” misionin e saj në këmbim të fitimit.

Elon Musk tha se Grok-1.5 do të bëhet i disponueshëm javën e ardhshme Foto: Ilustrim

Startupi i inteligjencës artificiale xAI i Elon Musk prezantoi ditën e sotme versionin më të fundit të chatbotit Grok-1.5 duke folur për performancën e shtuar të tij dhe aftësitë e reja në kodim dhe matematikë.

Ajo që nuk u tha ishte data e debutimit por nuk vonoi Musk përmes një postimi në rrjetin social X të tregonte se Grok-1.5 do të jetë i disponueshëm që nga java e ardhshme.

“Grok-2 tejkalon të gjitha matjet tona dhe është në trajnim aktualisht,” shtoi Musk.

Grok-1.5 është një version i përmirësuar i Grok dhe do të bëhet i disponueshëm për testuesit e hershëm dhe ekzistues të Grok në X në ditët në vijim.

Në fillim të muajit Musk tha se xAI do të bënte Grok open-source pak ditë pasi paditi OpenAI se ka “shitur” misionin e saj në këmbim të fitimit.

Në përpjekje për të konkurruar me OpenAI dhe Google, Musk lançoi xAI vitin e kaluar.