Apple humb mbi 290 miliardë dollarë nga vlera e tregut pas tarifave të Trump

03.04.2025

Aksionet e Apple ranë me gati 9% mëngjesin e sotëm, pasi investitorët reaguan ndaj njoftimit të presidentit Donald Trump për tarifa të reja mbi importet.

Kjo rënie drastike fshiu mbi 293 miliardë dollarë nga kapitali i tregut të Apple brenda pak orësh, duke shënuar një nga goditjet më të mëdha ditore për kompaninë që nga marsi i vitit 2020.

Goditje për gjigantët e teknologjisë

Apple nuk është kompania e vetme e prekur nga tarifat e reja. Gjigantët e tjerë të teknologjisë si Microsoft, Amazon, Google, Tesla dhe Meta gjithashtu panë rënie të konsiderueshme në vlerën e aksioneve, pasi shumica e pajisjeve të tyre prodhohen në Kinë, Vietnam dhe Indi. Sipas raportimeve të The Telegraph, tarifat e vendosura rrisin ndjeshëm koston e importit të këtyre produkteve në SHBA.

Ja si u ndikuan disa nga kompanitë kryesore:
Meta – Rënie me 8%
Amazon dhe Tesla – Rënie me 9%
Google – Rënie me 4%
Microsoft – Rënie me 3%

Si do të reagojë Apple?

Analisti Angelo Zino nga CFRA Research thotë se Apple mund të përpiqet të zbusë ndikimin e tarifave duke përmirësuar zinxhirin e furnizimit dhe duke ndarë koston me konsumatorët. Megjithatë, ai paralajmëron se “do të jetë e vështirë të transferohet më shumë se 5 deri në 10% e rritjes së kostos” tek çmimet për konsumatorët pa rrezikuar ndjeshëm të ardhurat e kompanisë.