Vraniqi i bashkohet festës së Ditës së Tokës me aksion pastrimi, Kolgeci ndan foto
Dita e Tokës u shënua sot në mënyrë të veçantë në Vraniq të Suharekës, ku nxënës të shkollës fillore “Dëshmorët e Kombit”, përfaqësues të “Shoqatës Vraniqi” dhe një numër i madh vullnetarësh u bashkuan në një aksion simbolik pastrimi.
Foto: Ilustrim
Kjo iniciativë, e mbështetur nga asambleisti dhe ish-kandidati për deputet i LDK-së në Suharekë, Selman Kolgeci, kishte për qëllim t’i kthejë tokës sadopak nga ajo që ajo ofron çdo ditë për ne.
Me punë dhe përkushtim të palodhshëm, pjesëmarrësit u angazhuan në pastrimin e zonave të caktuara, duke dëshmuar fuqinë e bashkimit për një ambient më të shëndetshëm dhe më të pastër për të gjithë banorët e Vraniqit.
“Të tilla aksione na tregojnë fuqinë e bashkimit për një ambient më të pastër për të gjithë!” – theksoi z. Kolgeci në një prononcim të tij. Ai më tej shtoi: “Le të jenë këto iniciativa frymëzim për të gjithë!” duke inkurajuar qytetarët e tjerë dhe komunitetet që të ndërmarrin veprime të ngjashme në mbrojtje të mjedisit.
Ky aksion simbolik shërben si një shembull i shkëlqyer i ndërgjegjësimit dhe angazhimit qytetar ndaj mbrojtjes së planetit tonë. Dita e Tokës, e cila festohet çdo vit më 22 Prill, është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe për të ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim. Iniciativa e sotme në Vraniq dëshmon se edhe veprime të vogla, kur bëhen së bashku, mund të kenë një ndikim të madh.